Profesioni i Ndërmjetësit në pasuri të paluajshme, ja ndryshimet sipas ligjit të ri.

Tashmë të gjithë individët që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushën e pasurive të paluajtshme do të licencohen nga Ministria e Drejtësisë, kjo sipas ligjit të miratuar sëfundmi. Ky ligj i cili parashikon mirëfunksionimin e këtij sektori ka marrë miratimin në parlament. Ligji është hartuar nga ekspertë të Ministrisë së Drejtësisë. Ky ligj ka për qëllim “rregullimin e ushtrimit të profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme, mbrojtjen e interesave të ligjshme të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme, si dhe të çdo shtetasi nëpërmjet garantimit të ligjshmërisë gjatë ndërmjetësimit të veprimeve juridike për kalimin e pronësisë së sendeve të paluajtshme ose të të drejtave reale mbi to”.

Sipas këtij ligji,  “Ndërmjetësi i Pasurive të Paluajtshme” gjatë ushtrimit të profesionit udhëhiqet nga parimet bazë të profesionalizmit, të etikës, të barazisë së palëve, të integritetit dhe të konfidencialitetit.

Ndryshimet e ligjit:

–   Të përcaktojë rregulla të thjeshtuara për ushtrimin e profesionit të agjentit imobilar, si  një profesion i lirë dhe i rregulluar në përmbushje të qëllimit për ndërmjetësimin e veprimeve juridike për kalimin e pronësisë së sendeve të paluajtshme ose të drejtave reale mbi to në përputhje me legjislacionin në fuqi.

–  Detyrimi për të raportuar nga ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme pranë strukturave përgjegjëse të autorizuar me ligj,  në rast dyshimi për pastrim parash gjatë  kryerjes së transaksioneve që lidhen me pasuritë e paluajtshme.

Ushtrimi i profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme:

  1. Profesioni i ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme mund të ushtrohet vetëm nga personi që është certifikuar për kryerjen e kësaj veprimtarie dhe është i regjistruar në Regjistrin e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme në përputhje me kushtet e kriteret e parashikuara në këtë ligj.
  2. Ndërmjetësi i pasurive të paluajtshme mund të ushtrojë veprimtarinë e tij edhe nëpërmjet mjeteve elektronike ose në distancë. Në çdo rast, kur veprimtaria ushtrohet nëpërmjet mjeteve elektronike ose në distancë, ndërmjetësi është i detyruar të njoftojë identitetin e tij, numrin e
    certifikatës, si dhe numrin unik të identifikimit të subjektit.
  3. Çdo person tjetër që nuk është certifikuar për ushtrimin e profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme nuk lejohet të ndërmjetësojë kryerjen e veprimeve juridike për kalimin e pasurive të paluajtshme ose të të drejtave reale mbi to, pavarësisht formës ose mjetit që përdoret për ndërmjetësimin.

Kriteret për çertifikimin si ndërmjetës i pasurive të paluajtshme:

Personi që kërkon të certifikohet si ndërmjetës i pasurive të paluajtshme duhet të përmbushë kriteret e mëposhtme:

a) të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar;
b) të ketë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, sipas legjislacionit në fuqi për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë;
c) të mos jetë nën hetim apo gjykim për veprat penale në fushën e pastrimit të parave, të financimit të terrorizmit apo të armëve të shkatërrimit në masë;

ç) të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për një vepër penale të kryer me dashje për të cilën nuk është rehabilituar;
d) të mos jetë dënuar me masë administrative gjobë ose masën administrative që detyron subjektin të ndalë një sjellje të caktuar, praktikë pune apo biznesi, si dhe të mos e përsërisë në të ardhmen, për shkelje të legjislacionit në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave, të paktën jo më herët se 6 muaj nga data e paraqitjes së kërkesës;
dh) të ketë përfunduar programin e detyrueshëm të trajnimit për kandidatët për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme.

Për më shumë informacion të detajuar mbi këtë ligj mund të klikoni mbi linkun më poshtë.

 

Burimi:

https://www.parlament.al/Files/Akte/20220201141000ligj%20nr.%209,%20dt.%2027.1.2022.pdf

Related Posts