Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka bërë me dije se janë 7100 familje që kanë përmbyllur procedurat e legalizimit nga viti 2017 e deri më tani, kohë kur u zyrtarizuan edhe ndryshimet ligjore. Ndërkohë që më herët është raportuar për rreth 30 mijë familje, që gjendeshin në këtë situatë, duke mos pasur dokumentin e pronësisë mbi pasurinë që dispononin. “Edhe pse janë ndërtuar që prej vitit 1997 e kanë vijuar deri në vitin 2015, banorët e këtyre apartamenteve kanë mundur të fillojnë të bëhen pronarë të banesave të tyre vetëm dy vitet e fundit, kur Këshilli i Ministrave nxori vendimin e posaçëm për të pajisur me certifikatë pronësie banorët e këtyre kategori pallatesh. Arsyeja e miratimit të kësaj VKM, ishte zgjidhja e problemit të një fluksi të madh qytetarësh, të cilët kishin blerë apartamente apo njësi shërbimi, por nuk ishin pajisur me certifikata pasurie, pasi ndërtuesit e kishin braktisur në mes procedurën. Vetëm në Tiranë, që prej vitit 2017 kur u fut në proces legalizimi i tyre, kanë përfunduar procesin e hipotekimit 142 pallate të tilla me rreth 7100 apartamente”, ka bërë me dije Kadastra përmes një njoftimi, në të cilin janë listuar edhe dokumentet që duhet të dorëzohen nga investitorët në rastin kur këta të fundit tregohen të gatshëm për të ndjekur procesin si edhe detyrimet që do të kenë banorët nëse procedurat do të ndiqen prej tyre. “Me qëllim përmirësimin e shërbimit, lehtësimin dhe përshpejtimin e procedurave, për pajisje me leje legalizimi dhe certifikatë pronësie te këtyre pallateve, është e nevojshme përgatitja e dokumenteve. Duke qenë se numri i pallateve për legalizim është i konsiderueshëm dhe kërkesa për t’i mbyllur në kohë rekord është edhe më e madhe, do të kërkonim ndihmesën dhe bashkëpunimin tuaj, me qëllim plotësimin e dokumentacionit. Cilado mangësi sipas kësaj tabele, do të sillte vonesa”, thuhet në tej në njoftim. Më poshte janë edhe dokumentet që duhet të dorëzohen për të marrë certifikatën e pronësisë.

PROCESI Puna për hipotekimin e pallateve pa leje ka nisur në vitin 2017 dhe vendimi përcakton qartë që “ftesa” e parë të shkojë për investitorët. Nëse ky i fundit brenda 30 ditëve refuzon të marrë përsipër ndjekjen e procesit, atëherë përgjegjësia bie mbi qytetarët. Caktimi i një personi për të ndjekur procesin ndihmon jo vetëm banorët, por edhe Agjencinë e Kadastrës. Sipas Agjencisë, vendosja e një përfaqësuesi, kopjet e vetëdeklarimeve/ kontratave, si edhe lista e banorëve janë bazike për fillimin e procedurave. Sa i takon projektit të pallatit, Kadastra sqaron se mund të merret nga njësia Vendore, autoriteti që ka lëshuar lejen e ndërtimit, mund të prodhohet nga një subjekt i licencuar i kontaktuar nga qytetarët ose nga drejtoria përkatëse e ASHK. Ndërkohë, lidhur me aktekspertizën për qëndrueshmërinë e objektit, është dokument teknik, i cili lëshohet nga inxhinier i licencuar dhe përgatitet detyrimisht për të gjithë godinën.

SITUATA Nga Agjencia e Legalizimeve janë identifikuar 1320 pallate të pahipotekuara. Pjesa më e madhe prej tyre janë të përqendruara në Tiranë. Procesi do të jetë falas dhe të gjitha procedurat do të ndiqen nga Agjencia e Kadastrës. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për investitorët. Detyrimet që këta të fundit kanë nuk fshihen dhe fatura do të transferohet në Drejtorinë e Tatimeve.

Burimi: Panorama

www.remax.al