Për të marrë një kredi në tre muajt e fundit do të jetë edhe me e lehtë. Bëhet fjalë për kredi për të blerë shtëpi dhe kredi konsumatore, për të cilat kanë interes qytetarët. Ky lajm vjen pas publikimit të raportit të vrojtimit të aktiviteti kreditues nga Banka e Shqipërisë ku thuhet: Bankat sjellin lehtësim të mëtejshëm të standardeve të kreditimit për individët, për sa i përket të dyja kategorive. Sipas parashikimit të Bankës Qendrore, bankat e nivelit të dytë do rrisin kredinë për biznesin e cila ka nisur në periudhën tetor deri në dhjetor.

“Në tremujorin e fundit të vitit, bankat presin kërkesë të gjallëruar në të gjitha kategoritë e biznesit. Kërkesa më e lartë nga ana e bizneseve në tremujorin e katërt të vitit 2018, pritet të shfaqet si për kredinë me qëllim investimi, ashtu edhe për atë me natyrë likuiditeti”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave të vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, tek bizneset kërkesa për kredi u raportua më e ulët nga një tremujor më parë, si ajo e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ashtu edhe kërkesa e ndërmarrjeve të mëdha. Edhe në prizmin e qëllimit të përdorimit të kredisë, kërkesa rezultoi më e ulët, si për kreditë për investime, ashtu dhe për likuiditete. Banka e Shqipërisë shprehet se arsyet e kërkesës së ulët të kredisë ishin mungesa e investimeve.

Faktorët e perceptuar nga ana e bankave si përcaktues të kërkesës më të ulët për kredi ishin: nevoja më e ulët për financimin e investimeve fikse, si edhe inventarëve e kapitalit qarkullues; financimi me burimet e brendshme të vetë biznesit; besimi i biznesit; si dhe situata ekonomike dhe perspektiva e saj. Niveli i përgjithshëm i normave të interesit, si edhe nevojat për rifinancimin e borxhit ishin dy faktorët e perceptuar si nxitës të kërkesës për kredi nga ana e bizneseve”, thuhet në raport. Por ndryshe paraqitet situata për qytetarët në 3-mujorin që lamë pas. Kredia për qytetarët ka shënuar rritje për blerje banese, ashtu edhe për kreditë konsumatore./ Referuar Tiranapost.al.